Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në telefon me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, dhe me atë rast ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli ishte “një zhgënjim për Serbinë dhe qytetarët e saj”.
Siç ka njoftuar presidenca e Serbisë, shkruajnë mediat atje, përcjell Telegrafi, Vuçiq shprehu dëshirën që Serbia të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe me udhëheqjen e re të Izraelit, të cilën ai uroi sukses në punën e saj, shtohet në njoftim.
Gjithashtu, presidenti i Serbisë thuhet se ka shprehur pritshmërinë që presidenti Herzog dhe Izraeli do të vazhdojnë të mbështesin dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”, citohet të ketë thënë presidenti Vuçiq.
Po sipas mediave serbe, bashkëbiseduesit shprehën interes në përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak-ekonomik, si dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë, kulturës, arsimit dhe sportit. /Telegrafi/