Telegrafi

Vuçiq flet pas takimit që pati në Washington me Thaçin, Grenellin dhe O’Brien

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar për televizionin publik në Serbi (RTS), se gjatë vizitës në Washington ka patur një sërë takimesh dhe se delegacioni i Serbisë është takuar me të gjithë ata që “vendosin për ta”.

Ai shtoi se pret nga Prishtina zyrtare heqjen e taksës për mallrat serbe, me qëllim që të mund të diskutojnë çështjet thelbësore, transmeton Telegrafi.

Presidenti serb është takuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, emisarin e posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Donald Trumpit, Robert O’Brien.

I pyetur se si ka rrjedhur takimi me personat e lartcekur, Vuçiq tha se ka qenë një takim i zakonshëm dhe se pret që të hiqet taksa, duke paralajmëruar se gjatë ditëve të ardhshme pritet të ketë çnjohje të reja të Kosovës.

“Nga shqiptarët kam kërkuar vetëm një gjë, të mos aplikojnë për pranimin në organizata dhe institucione ndërkombëtare. Mos na detyroni të angazhojmë të gjitha kapacitetet tona, të paktën derisa bisedojmë mos aplikoni në Interpol, UNESCO apo të kërkoni njohje të reja. Por, ata kurrë nuk kanë dashur të pranojnë këtë, duke thënë se kush jemi ne t’i ndalim”, ka shtuar Vuçiq.

Ai pranoi se ka pasur një sërë takimesh gjatë 48 orëve, dhe se sipas tij delegacioni i Serbisë është takuar me të gjithë “që vendosin për ata”.

“Mendoj se ata nuk duan që nga Serbia e vogël ta bëjnë një armik, duan të bashkëpunojnë me Serbinë – e jona është ta shfrytëzojmë këtë”, tha për fund president serb. /Telegrafi/