Site icon Telegrafi

Vuçiq: Duhet një zgjidhje kompromisi për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se për Kosovën nevojitet një zgjidhje kompromisi dhe se siç tha ai “nuk mund të ketë një zgjidhje të njëanshme sipas së cilës shqiptarët fitojnë gjithçka, ndërsa serbët humbasin gjithçka”.

Vuçiq këto komente i bëri për gazetën zvicerane “Weltwoche” shkruajnë mediat serbe, raporton Telegrafi.

Ai u shpreh se për çështjen e Kosovës kërkohet një kompromis dhe se në procesin e negociatave i janë afruar një zgjidhje e tillë, por se nuk është arritur sepse siç pretendoi ai “Kosova nuk i përmbush obligimet e saj”

“Është e nevojshme një zgjidhje kompromisi dhe ne ishim afër një zgjidhjeje të tillë. Ata nuk dëshironin që ajo të arrihej. Tani jemi larg një zgjidhjeje kompromisi, madje as që flasim me njëri-tjetrin, edhe pse ne jemi të gatshëm të bisedojmë”, tha Vuçiq, shkruajnë mediat serbe.

Vuçiq u shpreh se Prishtina nuk dëshiron ta formojë Asociacionin, që është një detyrim nga marrëveshja e parë dhe se situata është e vështirë, por siç tha ai “Serbia do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen”.

“Nuk mund të ketë një zgjidhje të njëanshme sipas së cilës shqiptarët fitojnë gjithçka, ndërsa serbët humbasin gjithçka. Askush nuk është budalla në Serbi. E dimë sa e vështirë është situata, por prandaj insistojmë në një zgjidhje kompromisi. Besoj në qytetarët e Serbisë, besoj në rajon”, tha Vuçiq. /Telegrafi/

Exit mobile version