Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të mërkurën mbrëma në Sarajevë se lidhur me çështjen e pronësisë së Jugosllavisë dhe Serbisë do t’i thotë kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa se është e “pakuptimtë ajo që është duke bërë”.
“Çfarë të bisedoj për këtë. Ata duhet të marrin çfarëdo qoftë për të na provokuar. Gjithsesi do t’i them se është e pakuptimtë ajo që po bën, por mirë, fillimisht ta bëj këtë dhe më pas mund të transmetoni se çfarë kam thënë”, tha Vuqiq për media në Sarajevë, para takimit të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se Prishtina “gjithmonë i ka ikur bisedimeve lidhur me çështjen e pronësisë”.
“Asgjë nga kjo nuk mund të merrni. Në asgjë çfarë keni planifikuar nuk mund të hyni. Çfarë po bëni me këtë?”, ka thënë Vuçiq.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjitha pasuritë paluajtshme në Kosovë të regjistruara në emër të RSFJ-së dhe Serisë të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e kësaj prone.
Në vendim Agjencia e Kadastrës e Kosovës obligohet që menjëherë në emër të Kosovës të bartë gjithë pasurinë e paluajtshme.
Vuçiq u tha gazetarëve se bisedimet në Sarajevë nuk do të jenë të lehta, sidomos për shkak të propozimit të Prishtinës, të cilin Serbia e konsideron të keq për çështjen e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Puna jonë është që të mbrojmë interesat tona, të luftojmë në bisedime dhe dialog, dhe të provojmë të tentojmë që të zgjedhim problemet dhe të ulim tensionet”, u shpreh ai.
Ndryshe, në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.