Telegrafi

Vuçiq dhe Moore diskutojnë për taksën dhe dialogun me Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me drejtorin e përgjithshëm për çështje politike në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, Richard Moore, me të cilin ka diskutuar për taksën për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës që i ka vënë qeveria e Kosovës, si dhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Vuçiq tha se shpreson që bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë t’i bëjë thirrje Prishtinës për heqjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ku sipas tij nëse një gjë e tillë arrihet, atëherë Serbia do të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Prishtinën, transmeton Telegrafi.
Sipas mediave serbe, presidenti serb e ka njoftuar drejtorin e përgjithshëm, me atë që ai pretendon se si Prishtina nuk e ka përmbushur asnjë obligim të vetëm të arritur nga marrëveshja e Brukselit siç është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Vënia e taksës dhe votimi i Platformës në Kuvendin e Kosovës është dëshmia më e mirë që Prishtina nuk është duke menduar për dialogun, por për zgjidhjet që do të mund ta destabilizonin tërë rajonin”, ka deklaruar Vuçiq./Telegrafi/