Qeveria e Serbisë dhe ajo e entitetit të Bosnje-Hercegovinës, Republika Serbe miratuan deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb.
Qeveritë e Serbisë dhe Republika Serbe miratuan sot njëzëri deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb në një seancë të përbashkët në Pallatin e Serbisë në Beograd, në kuadër të “Parlamentit Panserb”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para miratimit të deklaratës tha se “dokumenti flet për Kosovën, respektimin e Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara, por edhe për dialogun dhe respektimin e marrëveshjeve” ndërsa të pranishëm ishin edhe deputetë të Listës Serbe dhe të Malit të Zi.
Vuçiq ka theksuar se në deklaratë “nuk flitet për ndarjen e Republikës Serbe nga Federata e Bosnjë-Hercegovinës”, raporton N1.
“Unë nuk do të hyj në këtë, ju merrni vendimet tuaja, thjesht po ju kërkoj të mendoni një milion herë se sa shumë kemi nevojë për paqen ne të gjithë”, tha Vuçiq në seancën e përbashkët të dy qeverive.
Ai ka thënë se Serbia “nuk do ta lërë kurrë Republikën Serbe në baltë”.
“Kërkesa ime e vetme për ju është që të provoni gjithçka në mënyrë paqësore dhe në bisedë me të gjithë popujt e tjerë (në Bosnje dhe Hercegovinë), në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, për të zgjidhur të gjitha problemet”, tha Vuçiq.
Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, tha se deklarata është një dokument kombëtar që rehabiliton interesat kombëtare serbe dhe se interesat kombëtare dhe shtetërore serbe nuk kanë alternativë.
Ndryshe, deklarata mbulon të gjitha aspektet e rëndësishme të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe, dhe ndër të tjera, faktin që Republika Serbe do ta shënojë 15 shkurtin si Ditën e Republikës Serbe ndërsa 9 janari do të jetë Dita e Krijimit të Republikës Serbe. /Telegrafi/