Site icon Telegrafi

Vuçiq: Çështja rreth targave me Kosovën nuk do të zgjidhet para 1 shtatorit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk sheh mundësi që problemi rreth targave me Kosovën të zgjidhet para 1 shtatorit dhe se pret që Kosova do të nisë “një fushatë për ndryshimin e atyre targave për serbët”.

“Unë nuk mendoj se do të kenë shumë sukses në këtë. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Bruksel se do të jenë të suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar për ndërrimin e targave. Do të shohim, është një proces që do të zgjasë. Nuk ka asnjë shans që të ndodhë të zgjidhet para 1 shtatorit”, citohet të ketë thënë ai, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e dokumenteve të identitetit.

Ndërkohë, vendimi i institucioneve në Kosovë për targat e lëshuara nga Serbia, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Siç vë në pah REL, vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe. /Telegrafi/

Exit mobile version