Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia nuk do t’i mbijetonte një lufte të re dhe për këtë arsye duhet të mbështetet në bisedime.
Ai këto komente i bëri kur është pyetur rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
I pyetur të komentojë deklaratën e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Richard Grenell, se ekziston plani i SHBA-ve që ta zgjedhin shpejtë çështjen e Kosovës, edhe pse në fund rezultoi të jetë lajm i rremë, Vuçiq u shpreh se gjithmonë ka thënë se para se gjithash duhet të bisedohet, transmeton Telegrafi.
“Sa herë që flitet për fuqitë e mëdha perëndimore që përfshihen, të gjithë kërkojnë gjysmën e Serbisë”, shtoi presidentit serb.
Megjithatë, ai i është drejtuar gazetarëve të pranishëm me një pyetje: “A mund të paramendoni situatën tonë nëse nuk bisedojmë, çfarë do të ndodhte me popullin tonë në Kosovë, a ka ndonjë alternativë?”
“Vetëm lufta është alternativë, e ne këtë nuk e duam”, ka shtuar Vuçiq, duke theksuar se nuk janë të nevojshme konfliktet.
“Nuk do t’i mbijetonim organikisht luftës. Pas luftërave në Ballkan, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, luftërat e viteve të 90-ta… nuk do t’i mbijetonin një lufte tjetër. Kemi nevojë për politika të mençura”, tha për fund Vuçiq. /Telegrafi/