“Duhet t’i provojmë të gjitha që ta marrim datën. Jemi të gatshëm edhe për kompromise të vështira”, ka thënë Vucic për mediat serbe, duke shtuar se bisedimet e së martës në Bruksel kanë qenë shumë të mundimshme dhe se udhëheqësit serbë janë duke shqyrtuar hapat e mëtejmë.
“Në këtë moment vërtetë nuk e shoh zgjidhjen por jemi duke e kërkuar me ngulmë. Serbia duhet të provojë ta marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në dhe të jetë e gatshme për kompromise”, ka thënë Vucic.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e Baroneshës Ashton ka deklaruar se Përfaqësuesja e Lartë është duke pritur Kryeministrat pasi ajo do të raportojë gjatë muajit për dialogun.
“Elementet konkrete janë në tavolinë edhe njëra edhe pala tjetër janë kthyer në kryeqytetet e tyre për konsultime, ata do të jenë në kontakt me zonjën Ashton dhe në ditët e ardhshme do të njoftojnë për vendimet e tyre, kjo është situata aktuale. Në këtë moment unë nuk mund të spekulojë se çka do të ndodhë por është e sigurt se zonja Ashton duhet të bëjë raportin për Këshillin e Ministrave këtë muaj”, ka thënë ajo. /Telegrafi/