Telegrafi

Vucic kërkon nga serbët e veriut zbatimin e marrëveshjes

“Serbia, në rrethana tmerrësisht të vështira, nuk ka qenë në gjendje të arrijë më shumë në negociatat me Kosovën. U bëj thirrje serbëve të Kosovës që të bashkohen në zbatimin e marrëveshjes, sepse ne nuk mundemi pa popullin tonë dhe as ai nuk mundet pa shtetin e tij”, ka thënë Vucic.

Në anën tjetër, Marko Jaksic, përfaqësues i serbëve të veriut, ka thënë sot se popullata e kësaj ane do të pengojë zbatimin e marrëveshjes me protesta, bllokada dhe bojkotimin e zgjedhjeve që organizohen me ligjet e Kosovës, transmeton Rel.

Marrëveshja, e cila parashikon krijimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në veri, është arritur më 19 prill në Bruksel, pas disa raundesh bisedime midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, nën praninë edhe të shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se marrëveshja është në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. /Telegrafi/