Telegrafi

Vucic arrin në Kosovë

Sipas Policisë së Kosovës, Vucic do të qëndrojë në veri deri në orët e mbrëmjes.

“Policia e Kosovës ka detyrat e rëndomta të ruajtjes së rendit publik. Janë përgjegjësi të rregullta. Njësitë policore do të përcjellin eskortën e tij. Ndërsa, sa i takon hyrjes së tij në Kosovë, çdo gjë është në rregull me autorizimet e lejuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, shkruan “Evropa e Lirë”.

Edhe pse disa nga serbët në veri të Kosovës nuk e mirëpresin këtë vizitë, siç është paralajmëruar,Vucic do të përpiqet t’i bindë serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

“Nëse dikush dëshiron të na dëgjojë, për këtë arsye shkojmë në Kosovë, që të provojmë të shpjegojmë”, ka thënë Vucic, në Beograd para fillimit të vizitës në Kosovë.

Ai gjithashtu ka shtuar se “nëse dikush nuk dëshiron të na dëgjojë, por mendon se me mallkime dhe qortime publike do t’i zgjidhë problemet, atëherë problemi nuk qëndron në mua”.

Vucic ka theksuar se nga ana e tij do të përpiqet “të bëjë çdo gjë të mundshme për Serbinë dhe qytetarët e saj” dhe mendon “se njerëzit në Serbi i kuptojnë të gjitha dhe se ata do ta japin vlerësimin përfundimtar”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti, ka thënë se edhe pse disa nga serbët në veri të Kosovës nuk e mirëpresin vizitën e Vucicit, nuk ka ndonjë reagim nga ana e atyre personave.

“Jo, deri më tani nga informacionet që ne i kemi nga terreni, nuk ka ndonjë indikacion që do të mund të ndikonte në aspektin e sigurisë, përfshirë këtu edhe protesta të ndryshme, pra informacione të tilla ne nuk kemi”, ka shpjeguar Hoti.

Hoti ka bërë të ditur se në vendbanimet me popullatë të etnive të ndryshme, patrullimet e policisë janë më të shpeshta. /Telegrafi/