Site icon Telegrafi

Vrojtimi i shpendëve, turistët anglezë vizitojnë Divjakën

Parku Kombëtar i Divjakës po tërheq në këto ditë të ngrohta pranvere një numër të lartë turistësh të huaj.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Fier ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e një grupi turistësh anglezë të pasionuar për natyrën që vizituan këtë park.

“Turistët u shoqëruan nga stafi i parkut duke u njohur me vlerat e tij, si dhe zhvilluan vëzhgimin e zogjve në lagunën e Karavastasë”, thekson ADZM Fier.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara të vendit për turizmin detar, natyror, të peizazhit, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe të historisë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmërinë e shpendëve, janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar. /Telegrafi/

Exit mobile version