Ekstremisti më i kërkuar i Indonezisë është vrarë në një betejë me forcat e sigurisë në xhungël.
Santoso, i cili ishte në zemër të lëvizjes xhihadiste indoneziane, u qëllua për vdekje bashkë me një militant tjetër, njofton qeveria e Indonezisë.
Vdekja e përkrahësit të ISIS, Santoso, të cilit ShBA-të ia kishin dhënë përshkrimin zyrtar të terroristit, është fitore e presidentit indonezian, Joko Widodo, i cili e kishte bërë prioritet kapjen e Santosos.
Zëdhënësi i presidentit, Johan Budi, tha dje se Santoso besohej se ishte njëri nga dy militantët e vrarë nga një shkëmbim zjarresh me policinë në ishullin Sulawesi, ku ai mendohej se po fshihej.
“Njëri nga të vrarët i ngjan Santosos, ndërsa trupi i tij po transportohet për identifikim te familja e tij”, tha Budi, përcjell Express.
Mosha e Santosos nuk dihet.
Ai është ndjekur nga forcat e sigurisë të Indonezisë për disa vite më radhë dhe kishte dhënë betimin e tij për grupin terrorist të Shtetit Islamik (ISIS).