Sot rreth orës 14 në fshatin Babimoc të Obiqiit ka ndodhur një vrasje, ku viktimë është një 35-vjeçar.
Vrasjen në Babimoc e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se lidhur me këtë rast është arrestuar një i dyshuar.
“Rreth orës 14:00 policia ka marrë informatën se një person rreth 35 vjeç, me plagë nga arma e zjarrit dhe pa shenja jete është pranuar në QKUK në Prishtinë”, tha Ahmeti për Telegrafin.
Ajo ka thënë se menjëherë njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative e hetimore për të sqaruar dhe ndriçuar rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Zëdhënësja Ahmeti tha se “sipas informacioneve të para, të siguruara nga policia, është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Babimoc të Obiliqit”.
Sipas Ahmetit, aktualisht rasti po trajtohet si vdekje e dyshuar deri në sqarimin e plotë të gjitha rrethanave të ngjarjes.
Ajo tha se lidhur me këtë policia ka arrestuar F. T. ( 1991), si të dyshuar për vrasjen.
“Policia po vazhdon hetimet deri në sqarimin e plotë të rrethanave”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/