Telegrafi

Vritet një 15 vjeçar dhe një i ri tjetër plagoset nga të shtënat në Malmo

Sipas policisë suedeze, një 15-vjeçar është vrarë ndërsa një i ri tjetër u plagos rëndë si rezultat i të shtënave në një shesh në Malmo.

Policia njofton se personat e armatosur të panjohur hapën zjarr në një piceri.

“Të shtënat kanë ndodhur në një vend publik, kështu që ne jemi duke i mbledhur informacionet dhe jemi duke biseduar me dëshmitarët”, tha Katarina Rusin, një zëdhënëse e policisë, përcjell Telegrafi.

Dëshmitarë okularë thonë se sulmuesit ikën nga vendi i ngjarjes me biçikletë.

Të shtënat ndodhën disa minuta pasi shpërtheu një bombë nën një makinë në pjesën tjetër të qytetit.

Policia ende nuk ka përcaktuar nëse dy incidentet janë të lidhura dhe nuk i ka identifikuar të dyshuarit në të dyja rastet. /Telegrafi/