Site icon Telegrafi

Vriten të paktën 11 luftëtarë kurdë të Iranit

Të paktën 11 anëtarë të një grupi rebel të iranianëve kurdë janë vrarë në një sulm me raketa në selinë e tyre në Kurdistanin e Irakut, për të cilat forcat kurde e kanë fajësuar Iranin.

Partia Demokratike e Kurdistanit të Iranit i tha agjencisë AFP se organizata e tyre po mbante një takim në kohën kur ndodhi sulmi.

“Njëmbëdhjetë anëtarët e partisë janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur kur raketat goditën selinë në Koysinjaq”, tha Kamran Abbas, drejtor i spitalit të qytetit.

Partia Demokratike e Kurdistanit të Iranit herë pas here kryen sulme brenda Iranit dhe bazat iraniane në Irak dhe nga Teherani konsiderohet grup terrorist.

Ky grup është një parti e majtë e armatosur dhe përbëhet nga kurdët etnikë nga Irani. Grupi ka vendosur bazën në veri të Irakut, pasi u ndalua në Iran.

Partia Demokratike e Kurdisitanit të Iranit ka kryer një luftë guerile kundër forcave iraniane nga viti 1979 deri më 1996, kur dhe u shpall armëpushimi. Më 2016, ky grup ka njoftuar se do të rikthejë rezistencën e armatosur.

Miliona kurdë etnikë jetojnë në rajonet malore përgjatë kufijve me Turqinë, Irakun, Sirinë dhe Iranin.

Disa prej tyre kanë lidhje me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), të cilët për dekada me radhë luftojnë për pavarësi. /REL/

Exit mobile version