Fshati Gjormë i Vlorës është tronditur pasditen e sotme nga një krim i rëndë.
Një i ri ka ekzekutuar me armë një 35-vjeçar në një lokal në qendër të fshatit dhe pas rreth 15 minutash ka vrarë edhe veten në banesën e xhaxhait të tij.
Viktima e goditjes me armë është identifikuar si Mariglen Memaj, ndërsa autori i krimit është 33-vjeçari Artion Shenaj.
Mema ka mbetur i vdekur në vend pas goditjes me armë, ndërsa trupat e tyre janë nisur drejt morgut të Vlorës.
Sipas hetimeve të para, të dy viktimat kanë qenë të armatosur me armë zjarri në kohën që kanë nisur debatin mes tyre, megjithatë policia nuk ka dhënë një variant zyrtar.
Të dy personat jetonin jashtë Shqipërisë. Shenaj kishte vetëm tre ditë që ishte kthyer nga Franca, ku kishte kryer edhe dënimin në një burg.
Ndërkohë Mariglen Memaj prej një muaji ishte kthyer nga Italia, ku jetonte me familjen. Viktima është babai i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali.
Dyshimet e para janë se përdorimi i armës ka ardhur pas agravimit të një konflikti të hershëm mes viktimës dhe autorit.
Të dy të rinjtë janë persona me precedentë të mëparshëm penal, sepse dënimet që kanë marrë jashtë shtetit lidhen me lëndët narkotike.
Arma e krimit është një automatik kallashnikov, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton se Shenaj e ka ekzekutuar fqinjin e tij në momentin që ai po pinte kafe.
Policia e Vlorës ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet.