Mijëra njerëz ishin të pranishëm në natën e dytë të festivalit Hardh Fest, për të dëgjuar performancën e grupit ikonik Gypsy Kings.
Grupi me një trashëgimi katalanase, dhuroi spektakël nostalgjik për shumicën e adhuruesve që erdhën për të kërcyer nën ritmet e këngëve “Bamboleo” e “Baila Me”.
Performanca e grupit Gypsy Kings në Hardh Fest u përmbyll nën brohoritjet dhe duartrokitjeve të forta të pjesëmarrësve si dhe nën atmosferën e fishekzjarrëve.
Vreshtat pranë lokacionit të festivalit, atmosfera e ngrohtë e të njëjtën kohë e freskët si dhe muzika rumba e salsa, e bënin edhe më kulminant këtë fillim shtatori.
Gypsy Kings padyshim u sigurua që të gjithë të kërcenin me këngët e tyre ikonike.
Festivali agro-kulturor Hardh Fest, i cili mbahet në Rahovec ka filluar të premten më 6 shtator dhe përmbyllet sonte [të dielën] më 8 shtator.
Ky festival përveç organizimit festiv në mbrëmje me emra të njohur të muzikës, organizon edhe aktivitete të tjera gjatë ditës që përqafojnë kulturën e qytetit të Rahovecit.
Hardh-Fest ngërthen një përmbledhje të traditës së rrushit e vreshtave e bodrumeve që përfaqëson ky qytet. /Telegrafi/