Telegrafi

Vrau vëllain për bagëti, 21 vjet e 6 muaj burgim ndaj të pandehurit në Rahovec

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit J.G., shtetas i Republikës së Kosovës, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, akuzohet për vepër penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 21 vjet e 6 muaj.

“I pandehuri J.G., akuzohet se më 12 qershor 2021, rreth orës 21:25, në fshatin Sopniq të Rahovecit, i akuzuari J.G., në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje rreth disa bagëtive ka privuar nga jeta vëllanë e tij H.G, i moshës 65 vjeçare dhe ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve A.G. dhe A. G.(1), në atë mënyrë që viktima së bashku me dy djemtë e tij shkojnë në oborrin e të akuzuarit për t’ia dërguar bagëtinë.

Dhe aty pas një fjalosjeje të çastit i akuzuari J.G., e nxjerrë një revole nga xhepi i djathtë i pantallonave dhe atë të tipit ‘Zoraki’, e me të njëjtën shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, i cili në ikje e sipër qëllohet me dy të shtëna, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”, thuhet në raport.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Telegrafi/