Telegrafi

Vrau të atin në Durrës, e reja ka përdorur armën pa leje, dyshime se vajza është ndihmuar

Hygerta Meta, 19-vjeçe ka vrarë dhe groposur në oborrin e shtëpisë në Durrës të atin 50-vjeçar, Pëllumb Meta.

19-vjeçarja rezulton studente në Universitetin e Tiranës për degën e menaxhim biznesit. Në dëshminë e dhënë përpara uniformave blu ajo ka marrë përsipër autorësinë e krimit.

19-vjeçarja ka deklaruar se ishte ajo që e dërgoi automjetin e babait të saj në zonën e plazhit në Durrës.

Vrasjen e të atit e ka kryer me pistoletën e viktimës qe e mbante pa leje por policia ende nuk ka mundur të sekuestrojë armën dhe as gezhojat, të cilat po ashtu ka deklaruar se i ka hedhur në zonën e Sektorit Rinia.

Lexo po ashtu Ngjarje e rëndë në Durrës, vajza vret dhe gropos të atin: Më detyroi të fejohesha pa dëshirë

Babai, Pëllumb Meta punonte si roje. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se policia e Durrësit po verifikon edhe rolin e të ëmës së 19-vjeçares dhe 2 vëllezërve të saj në ngjarjen e rëndë në familje.

Motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që ata kanë patur.

Përmes një njoftimi, Policia thotë se 50-vjeçari është vrarë me armë zjarri dhe ishte kallëzuar i humbur prej 10 ditësh nga vetë familjarët.

Ndërkohë hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të gjetur personat e tjerë që mund të jenë implikuar. /Telegrafi/