Site icon Telegrafi

Vrau gruan për arsye xhelozie – gjykata e dënon me 25 vjet burgim të akuzuarin

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim Ragip Gashin, për akuzën se kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij M.G i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake.

Aktgjykimi ndaj Gashit u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Gashi për “Vrasje të rëndë” u dënua me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 2 vite burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 25 vjet burgim.

Ndryshe, aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Gashi.

Ndërsa, lidhur me veprën “Vrasje në tentativë”, gjykatësja Dërmaku tha se “Në kuadër të dispozitivit për vrasje të rëndë, Prokuroria në fjalën përfundimtare ka inkorporuar edhe veprën penale “Vrasje në tentativë” pika, 1.11 të Kodit Penal të Kosovës”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ragip Gashi më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, i nxitur nga motivet e ulëta të xhelozisë, në mënyrë dinake e privon nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.

Aktakuza thotë se derisa tani e ndjera M.G kishte shkuar mysafir te familjarët e saj dhe ishin duke ndenjur, me ç’rast i pandehuri Gashi e ka thirrur në telefon duke i thënë që ka shkuar për ta marrë në shtëpi, dhe tani e ndjera duke mos dyshuar asgjë është nisur për të shkuar te i pandehuri.

Tutje, sipas aktit akuzues, i pandehuri Gashi i kishte thënë paraprakisht se e priste në rrugë, ndërsa vëllai i saj i dëmtuari-dëshmitari Xh.H e kishte përcjellur, papritmas atyre iu ka dalë në pritë i pandehuri Gashi me revole në dorë, i cili me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë në drejtim të tani të ndjerës M.G., duke e qëlluar me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit, ku njëri plumb e ka goditur në zemër, me ç’rast M.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Me këtë, i akuzuari Ragip Gashi, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e II të aktakuzës thuhet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin I të akuzës, i pandehuri Gashi në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit Xh.G dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të dëmtuarit – dëshmitarit Xh.H me ç’rast e qëllon dy herë me plumba në trup, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën. Me ç’rast, për këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Po ashtu, i akuzuari sipas dispozitivit të III, prej datës së pavërtetuar e deri më 21 dhjetor 2016, në shtëpinë e tij në Prishtinë ka mbajtur në pronësi dhe kontroll, armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm.

Me këtë, i pandehuri Gashi akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi/

Exit mobile version