Denise Williams, 49-vjeçe nga Florida, SHBA, është dënuar me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje dhe planifikimin e vrasjes së bashkëshortit Mike Williams, vrasje kjo që kishte ndodhur 20 vite më parë.
E gjitha ndodhi për të përfituar nga sigurimi shumën prej 1,7 milion dollarë, dhe më pas të martohet me shokun e tij më të ngushtë Brian Winchester, transmeton Telegrafi.
Williams kishte shkuar në liqenin Seminol në vitin 2000, po atë ditë ai dhe gruaja e tij Denise festonin 6-vjetorin e martesës. Dhe pasi që nuk u kthye në shtëpi, filluan operacionet e kërkim-shpëtimit.
Pas disa javëve kërkime policia ka arritur ta gjej barkën e tij, xhaketën, çizmet e gomës dhe lejen e pushkës së gjuetisë, por jo edhe trupin, dhe kështu konstatuan se e kishin ngrënë aligatorët.
E kur në qershor të vitit 2001 u mësua se ishte mbytur në liqen, Denise tërhoqi 1.7 milion nga sigurimi i bashkëshortit që me ligj i takon asaj nëse ai ndërron jetë.
Ndërkaq e ëma e tij Cheryl Ann Williams, nuk ka dashur të besojë se djali i saj thjesht është mbytur në ujë, dhe kështu në vitin 2004 insistoi që të rifillojnë hetimet për zhdukjen e tij.
Trupi i Mike Williams u gjet në vitin 2017, kurse Denise është arrestuar në maj të vitit të kaluar nën akuzën për vrasje të shkallës së parë, komplot dhe mashtrim.
E shoku i ngushtë i Mike, Brian Winchester ishte ndarë nga gruaja në vitin 2005 për t’u martuar me Denise me të cilën mbajti lidhjen e fshehtë që nga viti 1997. Megjithatë në vitin 2012 u ndanë, kurse Denise kërkoi shkurorëzim nga ai në vitin 2015.
Winchester ka dëshmuar në sallën e gjyqit kundër Denise, ku tha se ajo nuk ka dashur të ndahet nga bashkëshorti, me qëllim që të mos ketë nevojë ta ndajë kujdestarinë e vajzës. Kështu menduan planin për vrasjen e tij dhe besuan se gjithçka që do të dukej si “aksident”. /Telegrafi/