Ramiz Mici, i cili vrau bashkëjetuesen e tij një ditë më parë në lagjen “Skënderbej” në Elbasan është arrestuar.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së shtunës në banesën ku çifti jetonte me qira. Mici e masakroi me thikë Jetlira Elezin dhe më pas u largua nga vendngjarja. Arratia e 37-vjeçarit zgjati vetëm 24-orë.
Kujtojmë se Elbasani u trondit një ditë më parë nga vrasja e ndodhur, ku Mici i mori jetën bashkëjetueses për shkaqe xhelozie.
Ata jetonin në lagjen “Skënderbej” prej 4 muajsh në një banesë me qira. 37-vjecarja ishte e divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e parë. Edhe autori i vrasjet ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë nga martesa e mëparshme.
Mësohet se para pesë ditësh, kishte ndodhur një sherr mes tyre dhe 37-vjeçari e kishte dhunuar bashkëjetuesen. Viktima kishte kërkuar ndihmë në polici dhe ishte pajisur me urdhër-mbrojtje. Prej asaj dite, ata jetonin në të njëjtën shtëpi por me dhoma të ndara.
Ditën e vrasjes, 37-vjeçarja do të ikte nga banesa pasi kishte gjetur shtëpi tjetër, edhe pse nuk mundi dot të largohej.
Fatmirësisht dy fëmijët e mitur nuk kanë qenë në banesë në momentin e krimit. Nisur nga situata e rëndë me bashkëjetuesin Jetlira kishte dërguar fëmijët te babai i tyre.
Vëllai i 37-vjeçares Jetlira Elezi paralajmëroi përmes një postimi në rrjete sociale se do të hakmerret për të. Ai i është drejtuar autorit Ramiz Mici duke i thënë publikisht se do të vrasë të afërmit e tij. /TCH/