“Nuk kam çfarë të them për ngjarjen. I qëndroj versionit të vetëmbrojtjes”.
Kështu ka deklaruar 30-vjeçari Esmerald Balla në gjykatë, i cili akuzohet për vrasjen e babait të tij Enver Balla pas një sherri me motive ekonomike.
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e arrestit me burg për Esmerald Ballën, i cili vrau babanë e tij dhe e hodhi në pus në Shënavlash të Durrësit. E njëjta masë sigurie u dha edhe për bashkëpunëtorin e tij Edison Brahaj.
Siç raporton A2, 30-vjeçari pretendon që është goditur nga policia, për të cilën mbrojtja pretendon se ai ka një hematomë në kokë.
Esmerald Balla vrau babanë e tij Enver Balla pas konflikteve të vazhdueshme për një shumë prej 75 mijë eurosh në kasafortën e kursimeve që kishte humbur dhe të dy akuzonin njëri-tjetrin.
Balla pranoi para hetuesve se kishte vrarë babanë e tij 62 vjeçar Enver Ballën dhe për ta zhdukur e kishte hedhur në pus, raporton A2.