Site icon Telegrafi

Vrau aksidentalisht kushërirrin gjatë gjuetisë, arrestohet 43-vjeçari në Bulqizë

Foto: Ilustrim

Policia e Bulqizës ka arrestuar 43-vjeçarin Flamur Kamberi, i cili akuzohet për vrasjen aksidentale të kushëririt të tij, Vasil Kamberi, gjatë një daljeje për gjueti në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël.

Sipas hetimeve, Flamur Kamberi, së bashku me viktimën dhe tre persona të tjerë, A.K. (33 vjeç), H.T. (42 vjeç) dhe R.K. (28 vjeç), kishin dalë për gjueti kur aksidentalisht Flamuri qëlloi me armë gjahu drejt kushëririt të tij. Për pasojë, Vasil Kamberi ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital me helikopter, si rezultat i plagëve të rënda.

Policia ka nisur gjithashtu procedime penale në gjendje të lirë për tre personat e tjerë që ishin pjesë e grupit të gjuetisë. Në vendngjarje janë sekuestruar si prova materiale katër armë gjahu, dy gëzhoja, 22 fishekë dhe katër celularë.

Materialet e çështjes i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

“Specialistët e seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë dhe Prokurorinë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në pyllin e fshatit Tërnovë e Vogël, në Bulqizë, arrestuan shtetasin F.K., 43 vjeç, banues në fshatin Tërnovë, Bulqizë.

Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A.K., 33 vjeç; H.T., 42 vjeç; R.K., 28 vjeç, banues në fshatin Tërnovë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi F.K., sëbashku me shtetasin V.K, (viktima), dhe shtetasit A.K., H.T., R.K., kishin dalë për gjueti në pyllin e fshatit Tërnovë dhe askidentalisht shtetasi F.K., ka qëlluar me armën e gjahut në drejtim të shtetasit V.K., ku si pasojë e plagëve të marra humbi jetën gjatë transportimit me helikopter për në spital”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/

Exit mobile version