Site icon Telegrafi

“Vrasjeve që nuk iu dihet fillimi e as fundi!”: Policia gjen 3,787 fragmente eshtrash në shtëpinë e një të dyshuari si vrasës serik në Meksikë

Hetuesit që gërmuan nën shtëpinë e një vrasësi serik të dyshuar në periferi të Mexico City thanë të shtunën se ata kanë gjetur 3.787 fragmente eshtrash deri më tani, të cilat me sa duket u përkasin 17 viktimave të ndryshme.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, prokurorët në shtetin e Meksikës, sugjeruan se gjetjet mund të mos mbarojnë këtu.

Në gërmimet e kryera që nga 17 maj, autoritetet kanë gërmuar dyshemetë e shtëpisë ku jetonte i dyshuari.

Ata tani planifikojnë të shtrijnë kërkimin në tokën nën disa dhoma të tjera që ai dha me qira në të njëjtën pronë.

Kartat e identitetit dhe gjëra të tjera nga njerëzit që u zhdukën vite më parë u gjetën në shtëpinë e mbushur me hedhurina, duke sugjeruar që gjurmët e vrasjeve mund të shkojnë vite më parë.

Numri i fragmenteve të eshtrave të gjetura nën dyshemenë prej betoni në shtëpinë e të dyshuarit do të nënkuptojë se kufomat mund të jenë ndarë në copa të vogla.

Kjo mund të kishte kuptim: i dyshuari, i identifikuar nga prokurorët vetëm si “Andrés”, ishte më parë një kasap dhe në fakt “kishte ndarë dhe mbushur” viktimën e tij të fundit.

“… Deri më tani, fragmentet e kockave të gjetura mund të jenë ato të 17 njerëzve”, është thënë në një deklaratë.

Autoritetet nuk kanë lëshuar emrin e plotë të të dyshuarit 72-vjeçar sipas ligjeve meksikane që mbrojnë identitetin e një të dyshuari.

Ai është urdhëruar të dalë në gjyq për vrasjen e viktimës së tij të fundit, një gruaje 34-vjeçare trupin e së cilës ai dyshohet se e ka copëtuar me sharrë dhe thika më 14 maj.

I dyshuari u kap, jo si rezultat i një pune të mprehtë hetimore, por sepse viktima e tij e fundit e pretenduar ishte gruaja e një komandanti policie të cilin ai e njihte personalisht.

Ai duhej të kishte shoqëruar viktimën në një udhëtim pazari ditën që ajo u zhduk, kështu që burri i saj dyshoi tek ai kur ajo nuk arriti të kthehej.

Oficeri i policisë kërkoi qasje në kamerat e mbikëqyrjes policore që tregonin se gruaja e tij kishte hyrë, por nuk ishte larguar, në rrugën ku jetonte i dyshuari; polici shkoi në shtëpi, u përball me të dyshuarin dhe gjeti brenda trupit të copëtuar të gruas së tij.

Por ajo që hetuesit gjetën gjithashtu ishin veshjet e grave, letërnjoftimet dhe shiritat audio dhe video që sugjeronin se ai mund të kishte regjistruar viktimat e tij.

Dhe formati i kasetave video të gjetura në shtëpi mund të sugjerojë se sa më parë kanë filluar vrasjet: autoritetet gjetën 28 kaseta video 8 mm, të cilat u ndërprenë për përdorim rreth vitit 2007, dhe 25 kaseta VHS, të cilat kryesisht dolën jashtë përdorimit deri më 2016.

Megjithatë, formatet e vjetruara të teknologjisë shpesh mbeten në përdorim në Meksikë pasi ato janë braktisur në vendet e tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version