Site icon Telegrafi

Vrasjet në Prishtinë, kërkohet kthimi i dënimit me vdekje në Kosovë

Faji për rastin e konfliktit të djeshëm në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 në Prishtinë, në të cilin nuk i mbijetuan plagëve dy persona ndërsa dy tjerë mbetën të plagosur, po i lihet Këshillit Gjyqësor që nuk po i merr me prioritet rastet pronësore.

Ndërsa njohës të çështjeve të sigurisë thonë se duke parë situatën aktuale duhet të shqyrtohet mundësia që të kthehet dënimi me vdekje për vrasësit, raporton RTV Dukagjini.

Pas rastit të konfliktit të djeshëm me armë zjarri ku dy persona mbetën të vrarë dhe dy të tjerë në gjendje të rëndë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka akuzuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës për neglizhencën e gjykimit të rasteve pronësore, duke ftuar këtë organ shtetëror ti ketë prioritet këto raste.

“Pas vrasjes së djeshme që ndodhi në Prishtinë e që tronditi opinionin, Këshilli Gjyqësorë i Kosovës duhet të vihet në lëvizje duke e shtuar efikasitetin dhe duke e shpejtuar dinamikën e gjykimit të rasteve të kontesteve pronësore në mënyrë që të evitohen rastet potenciale të dhunës në të ardhmen. Rastet e ndjeshme siç janë ato brenda familjes dhe rastet ku ka përshkallëzuar kontesti duhet të kenë prioritet absolut nëse është qëllimi të parandalohen dhuna dhe vrasjet në të ardhmen”.

E duke e parë gjendjen aktuale dhe sistemin e drejtësisë, njohësi i cështjeve të sigurisë Avni Islami, kërkon të shqyrtohet mundësia që të hyjë në fuqi dënimi me vdekje për raste të tilla, përcjell Telegrafi.

“Nëse vazhdojmë me këtë trend ku njerëzit e marrin drejtësinë në duart e veta, Kosova pavarësisht se është nënshkruese e marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duhet të mendojë ta rikthej dënimin me vdekje për shkak se Kosova po kalon në një fazë të rëndë”, tha për RTV Dukagjinin, Avni Islami.

Ndërsa sipas sociologut Besim Gollopeni, shoqëria kosovare akoma funksionon me mendësi kanunore, e një pjesë të fajit u’a hedh edhe armëmbajtjes paleje.

“E para, shoqëria kosovare ende nuk po arrin të shkëputet nga tradita kanunore për zgjedhjen e problemeve shoqërore qoftë individuale apo familjare. E dyta, kam përshtypjen se qytetarët kanë humbur besimin se institucionet e drejtësië zgjedhin problemet e tilla”, tha Besim Gollopeni.

Për rastin e së enjtes deri më tani janë arrestuar 3 persona. /Telegrafi/

Exit mobile version