Site icon Telegrafi

Vrasjet e shumta në Shqipëri, 25 persona u vranë vetëm gjatë kësaj vere – konflikte edhe për një shikim

Foto: Ilustrim

25 persona kanë humbur jetën në 22 vrasje të ndodhura gjatë kësaj vere. Fatkeqësisht numri më i madh i vrasjeve ka qenë për motive banale.

10 persona kanë humbur jetën për konflikte të çastit të tipit “pse i fole vajzës që unë pëlqej” siç ishte rasti i Martin Çeços në fshatin Kolanec të Maliqit, më 12 qershor apo rasti i Klodian Bakiut më 17 gusht në Sarandë që u vra me thikë për një vend parkimi.

Ndërsa 33-vjeçari Madrid Ulqinaku u vra në Elbasan vetëm se u kap me fjalë me një 18-vjeçar.

Por më të rënda kanë qenë vrasjet mafioze që kanë tronditur vendin. Më 3 qershor në Shkodër u ekzekutua Neim Bajri teksa ishte duke pirë kafen e mëngjesit në lagjen Rus. Pas ngjarjes autorët dogjën makinën tip “Benz” dhe u zhdukën pa lënë gjurmë.

Më 11 qershor në Tiranë u ekzekutua me eksploziv 27 vjeçari Aleksandër Sadikaj teksa ishte duke udhëtuar në dalje të Tiranës me automjetin e tij. Dyshohet se ngjarja lidhej me të shkuarën e errët të të riut por policia nuk mundi dot të arrijë tek autorët.

Edhe më tronditëse ishte vrasja e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës më 17 korrik ku 3 të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha e Diklen Vata rreth orës 14:30 u ekzekutuan me breshëri në një aks plot lëvizje dhe më pas mjetit të tyre u vu flaka. Ngjarja dyshohet për hakmarrje por masakra edhe sot është pa autor. Rreth 1 javë më vonë dyshohet se për të njëjtat motive u ekzekutua Klisman Reci dhe u plagos Ylli Brahimaj në Milot.

Një atentat i ngjashëm ndodhi me 18 gusht në dalje të fshatit Panaja ku u ekzekutuan Brenda mjetit “Benz” Hakim Xhezo e Shpati Lena. Ndërsa autorët që lëviznin me një “BMW” disa kilometra me tej braktisën mjetin në flakë dhe armët dhe u larguan. Ngjarja dyshohet për hakmarrje pasi të dy viktimat ishin të implikuar në vrasjen e një biznesmeni në gusht të vitit 2019.

Për fat të keq në vend gjatë kësaj vere janë shënuar dhe 3 vrasje në familje më 6 korrik në Lushnjë djali mbyti babanë, më 30 korrik në Elbasan Jetlira Elezi u vra nga bashkëshorti. Krimi i fundit këtë verë u shënua në Mallakastër mëmë 25 gusht. Mariglen Muhametaj vrau me sende të forta të atin 73 vjeç pasi ky i fundit i kërkoi të punësohej. /TCH/

Exit mobile version