Site icon Telegrafi

Vrasjet e qytetarëve të pafajshëm dhe në pabesi, gjoja në emër të fesë, janë kundër vet fesë

Ngjarja e Frankfurtit ku nga dora e shqiptarit, të motivuar islamikisht humbën jetën ushtarë të pafajshëm amerikane aleatë të drejtpërdrejtë të Kosovës dhe të shqiptarëve, si dhe ngjarjet e mëhershme të llojit të tillë në botë, duhet të jenë leksion për të gjithë njerëzit e arsyeshëm, mendje hapur, psikologë, pedagogë si dhe akademik, për të bërë të pamundurën në parandalimin e akteve të tilla të cilat në të ardhmen e afërt apo të largët mund të përsëriten nën këtë motiv, e të cilat mund të shkaktojnë dëme të paparashikueshme për shoqërinë njerëzore.

Barra kryesore për këtë hap së pari bie mbi institucionet fetare dhe predikuesit e fesë, të cilët janë të obliguar që besimtarëve të vet t’u shpjegojnë fenë drejtë, mbi parime dhe baza të shëndosha, larg çdo ndikimi emocional apo doktrine të huaj e cila bie ndesh të drejtpërdrejtë me mësimet fetare të mirëfillta hyjnore, synimi i të cilave ka qenë dhe është zbutja e zemrave të njerëzve, lidhjes me Zotin, kultivimit të afërsisë ndër njerëzore, e kurrsesi të mbjelljes së vrazhdësisë, urrejtjes dhe vrasjes në emër të sajë.

Elemente të ekstremizmit fetar ka pasur dhe ka edhe sot, bile thuajse në mesin e çdo komuniteti fetar në botë, varësisht ku më pak e ku më shumë. Feja siç dihet edhe në të kaluarën, por edhe sot është keqpërdorur nga njerëz të caktuar, për të realizuar në emër të sajë qëllime të caktuara ideologjike dhe gjeopolitike dhe interesa personale klanore dhe grupore. Fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi shekullit XXI-të, ishte i mbushur me akte dhune e terrori në emër të fesë, e në këtë periudhë kohore më së shumti ka pasur të tilla që janë kryer dhe janë klasifikuar në emër të fesë islame. Të tilla akte po ndodhin edhe në mesin e vet myslimanëve nga grupe sektare fetare si në Irak, Pakistan, Afganistan, etj.

Sa herë që ato ndodhin gjykohen me shpejtësi dhe me gjuhë shumë të ashpër nga të gjithë prijësit fetar si dhe studiuesit më të lartë të fesë Islame, duke filluar nga Shejhu i Ez-herit – instanca më e lartë akademike islame, e deri te imamët e moderuar të xhamive, si të papranueshme, anti njerëzore dhe në kundërshtim me vet mësimet burimore fetare, por megjithatë ato po përsëriten në vazhdimësi.

Nuk mund të ketë prijës të mirëfilltë fetar në botë i cili mund të arsyetojë vrasjen masive të njerëzve të pafajshëm, e aq më pak ato tinëzare dhe në pabesi. Për të arsyetuar akte të tilla të çmenduara, ai ose ajo duhet të jetë ose pa ndjenja shpirtërore ose i /e orientuar dhe indoktrinuar gabimisht.

Rezultatet analitike dhe praktike deri më sot, kanë treguar se kryesit e akteve të vrasjeve masive të njerëzve të pafajshëm në emër të fesë në rrugë, në xhami, në bulevarde, 99% e tyre, për dallim nga projektuesit, kanë rezultuar si njerëz të pa arsimuar ose me arsim të gjysmuar dhe pa ndonjë njohuri paraprake mbi fenë, të cilët janë manipuluar dhe influencuar me anë të indoktrinimit tendencioz fetar shpirtëror nga njerëz të caktuar, për t’u flijuar në emër të Zotit me premtimin e fitimit dhe shpërblimit të xhenetit – parajsës në botën tjetër.

Vrasjet masive të njerëzve të pafajshëm, të qytetarëve dhe të kalimtarëve të rastit nga ana e fidainjëve- kamikazëve “mysliman”, vet Komunitetit Mysliman Botëror në përgjithësi, i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë dëm jashtëzakonisht të madh në formë të drejtpërdrejtë. Këto veprime i kanë nxitur dhe po nxisin pjesëtarët e besimeve tjera në botë, që myslimanët pa hezitim t’i quajnë të tërbuar, të pa shpirt, anti human, ekstrem, gjakpirës, bisha të egra, etj, etj.

Islamohpobia – mbjellja e frikës nga Islami në Botën Perëndimore, asnjëherë nuk ka qenë më e rritur se sa sot pikërisht si pasojë e këtyre akteve, motivin e të cilave nuk mund të kuptojnë gjithë qytetarët e rëndomtë. Por çfarë faji kanë mbi 90 % e myslimanëve në botë të cilët nuk pajtohen me veprimet destruktive dhe antifetare të një bujashke e gjithë trungut të madhe të botës myslimane. Pse myslimanët e devotshëm të jenë të urryer për shkak të vetëm një bujashke njerëzish të cilët e keqpërdorin Islamin për të rritur përkrahjen e tyre nga bashkësia e gjerë myslimane?!

Nëse projektuesit kanë synuar se me veprime të tilla vrasëse e terroriste të formës kamikazë se do t’i kontribuojnë Islamit dhe myslimanëve, ata kanë bërë bash të kundërtën e asaj që ndoshta e kanë synuar. Sepse, në fund të fundit diversiteti ndër njerëzor, etnik, kulturor, racor është vullnet dhe urdhër i Zotit në librin e Tij të shenjtë Kuranin, prandaj kush respekton Zotin dhe librin e tij, ai duhet të respektojë edhe përkatësitë e ndryshme etnike dhe fetare të njerëzve.

Ata të cilët thërrasin në emër të Islamit për vrasjen e njerëzve të pafajshëm ose të të gjithë atyre të cilët nuk besojnë dhe mendojnë si ta, janë kundër vet Islamit dhe myslimanëve, pasues të parimeve dhe mësimeve të shëndosha islame, prandaj të gjithë le të jenë të vetëdijshëm, dhe para së gjithash të rinjtë tanë, që të mos bien pre e manipulimeve dhe keqinterpretimeve të qëllimta, të cilat bëhen me planifikim nga njerëz apo individ të caktuar përmes formës verbale dhe të websajteve të ndryshme pa adresë, e kurrsesi të mos bëhen robër të një interpretimi rigid, konservativ dhe jo racional të mësimeve fetare Islame të cilat mund të serohen në forma të ndryshme.

Kjo do të vlente edhe për pjesëtarët e feve tjera, në mesin e të cilave po ashtu gjenden grupe ekstreme dhe jo racionale, të cilët bëjnë ose kryejnë akte provokuese të ngacmimit të ndjenjave fetare të të tjerëve në emër të Krishtit, Judes, Hinduizimit, apo të diçkafit tjetër, siç ishte viteve të fundit rasti i karikaturave të profetit Muahmmed a.s. në Danimarkë, pastaj rasti i orvatjes së shpalljes së ditës ndërkombëtare të djegies së Kur`anit në Amerikë, si dhe shumë e shumë raste tjera, të cilat nuk i kontribuojnë assesi harmonisë dhe respektit ndërfetar në Botë dhe që në një formë apo tjetër nxisin palën tjetër për veprime radikale dhe të pa matura.

Le të kuptohet nga të gjithë se nuk do të ketë paqe mes nesh përderisa ne nuk do njohim dhe respektojmë njëri-tjetrin, e nuk do të njohim njëri tjetrin përderisa nuk e përshëndesim njëri-tjetrin, ndërsa nuk do të ketë harmoni dhe qetësi mes njerëzve përderisa nuk e respektohet përcaktimin e lirë fetar i çdo njeriu në botë. Për të arritur deri te kjo vetëdije nevojitet edukim i mirëfilltë dhe serioz i brezave të ardhshëm. Sa më e lartë të jetë vetëdija njerëzore aq më i lartë është respekti për njëri-tjetrin. Studiues, njerëz të fesë, institucione qeveritare dhe jo qeveritare, NGO-të, të gjithë së bashku duhet të punojnë për vetëdijesimin e shoqërisë njerëzore mbi respektimin e vlerave të njëri-tjetrit.

Vrasja e njerëzve të pafajshëm në Islam është kategorizuar si vrasje e gjithë njerëzimit, kurse shpëtimi i një shpirti të vetëm është kategorizuar si shpëtim i gjithë njerëzimit. Mësimet e Kuranit janë të lidhura me njëra tjetrën ashtu siç janë edhe nyejt e trupit të njeriut, funksionaliteti i të cilave nuk mund të paramendohet pa lidhshmërinë mes tyre, andaj forma parciale e komentimit të Kuranit nëse dikush mendon se është e drejtë, është në kundërshtim me vet Kuranin . “…nëse dikush mbyt dikë, i cili nuk ka mbytur askë ose nuk ka bërë në tokë turbullira është sikur ka mbytur tërë njerëzinë, e kush bëhet shkaktar për të jetuar dikush është sikur t’i kishte ngjallur (shpëtuar) gjithë njerëzinë..” . ( Kaptina Maide –ajeti 32)

Ndërsa porosia e Muhammedit për shokët e tij ishte: “që edhe në raste lufte të mos vrasin fëmijë, njerëz të pafajshëm, gra, pleq e plaka…”

Rasti i Arid Ukës duhet të jetë motiv i vetëdijesimit tonë kudo ndër shqiptar dhe më gjerë, për të ruajtur të ardhmen e fëmijëve tanë, tani dhe në të ardhmen, që të mos bien viktimë qarqeve të errëta të cilat dëmtojnë të ardhmen e bashkëjetesës njerëzore. Toleranca fetare ka qenë dhe mbetet alfa dhe omega e jetës paqësore mes njerëzve, prandaj të gjithë janë të obliguar që në këtë drejtim të japin kontributin e tyre.

(Autori është profesor i studimeve islame, njëherësh kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës)

Exit mobile version