Vrasja me armë e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe ka tronditur Japoninë, e cila ka një nga nivelet më të ulëta të krimit me armë në botë për shkak të ligjeve të saj jashtëzakonisht të rrepta për pronësinë e armëve.
I dyshuari për të shtënat e së premtes përdori një armë të punuar me dorë, tha policia, transmeton Telegrafi.
Dhuna me armë është jashtëzakonisht e rrallë në Japoni, raporton CNN.
Në vitin 2018, Japonia, një vend me 125 milionë banorë, raportoi vetëm nëntë vdekje nga armët e zjarrit – krahasuar me 39,740 atë vit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas ligjeve të Japonisë për armët e zjarrit, të vetmet armë të lejuara për shitje janë pushkët e gjahut dhe pushkët me ajër – pistoletat janë të jashtëligjshme. Por marrja e tyre është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar që kërkon përpjekje të mëdha – dhe shumë durim.
Për të blerë një armë në Japoni, blerësit potencial duhet të marrin pjesë në një stërvitje me armë zjarri gjatë gjithë ditës, të kalojnë një test me shkrim, të kalojnë një test të poligonit me një saktësi prej të paktën 95 për qind, t’i nënshtrohen vlerësimit të shëndetit mendor dhe testeve të drogës, t’i nënshtrohen një kontrolli rigoroz të historikut – duke përfshirë një rishikim të dosjeve të tyre kriminale, borxhit personal, përfshirjes në krimin e organizuar dhe marrëdhënieve me familjen dhe miqtë.
Pas marrjes së një arme, pronari duhet të regjistrojë armën e tij me policinë dhe t’i japë detaje policisë se ku ruhet arma dhe municioni – dhe ato duhet të ruhen veçmas nën kyç dhe çels.
Policia do të inspektojë armën një herë në vit.
Dhe pas tre vjetësh mbaron licenca, në atë moment duhet të ndjekin kursin dhe të kalojnë përsëri testet.
Kufizimet e kanë mbajtur numrin e pronarëve privatë të armëve në Japoni jashtëzakonisht të ulët. /Telegrafi/