Telegrafi

Vrasje në Vushtrri, policia arreston një të dyshuar

Njësitë e para reaguese policore kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe kanë ftuar ekipet mjekësore me ç’rast doktori kujdestar ka konfirmuar vdekjen e viktimës në vend të ngjarjes.

Hetuesit regjional të SHPK-së, të repartit për krime të rënda, vrasje, së bashku me teknikët e forenzikës, ekipin e mjekësisë ligjore dhe prokurorin publik të prokurorisë së qarkut kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

Në bazë të informatave preliminare të hetuesve policorë, dhe të ekspertëve të mjekësisë ligjore, mësohet se viktima ishte goditur me dy plumba, një në kokë dhe një, në pjesën e përparme të gjoksit.

Policia e Vushtrrisë, pa ndonjë rezistim ka lokalizuar dhe arrestuar një person I.K. 33-vjeçar, si të dyshuarin kryesor të rastit të vrasjes, motivet e të cilit besohet të jenë pasojë e një mosmarrëveshje/ngatërrese familjare në mes të palëve.

I dyshuari është arrestuar në shtëpinë e tij, në fshatin Stanovc, ndërsa gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e tipit, M-57, e kalibrit 7.62mm, me një karikator me 5 fishekë.

Prokurori publik prezent në vend të ngjarjes, ka autorizuar caktimin e ndalimit policor ndaj të dyshuarit të arrestuar, ndërsa kufoma e viktimës është dërguar në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për autopsi.

Hetimet e këtij rasti janë në udhëheqje të hetuesve regjional të SHPK-së, Mitrovicë.