Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.U., i cili gjendet në paraburgim nga data 15.07.2024, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas aktakuzës, i akuzuari B.U., më datë 17.05.2024, rreth orës 17:30 min, në fshatin Nashec të Komunës së Prizrenit, me dashje tenton ta privojë nga jeta një personi tjetër.
“Pasi i dyshuari takohet me viktimën J.A., paraprakisht kërkon nga i njëjti t’ia jap një shumë parash prej 2,500.00 euro në formë të borxhit dhe pasi viktima i thotë se nuk e posedon një shumë të tillë, i njëjti nxjerr pistoletën dhe nga dritarja e automjetit të markës ‘WV Passat CC’ , e cila ka qenë e hapur, shkrep në drejtim të viktimës, me ç’rast e plagos në këmbën e tij të djathtë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima i nënshtrohet tretmanit mjekësor pranë Repartit Kirurgjik të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Vrasja në tentativë’ sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas njoftimit bëhet e ditur se i akuzuari B.U., mban në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, dhe me këto veprime ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cila akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/