Telegrafi

Vrasje në Shkodër

Sipas policisë, viktima ka qenë një ndër personat më aktivë në shumë ngjarje dhe ndër më të njohurit për policinë e Shkodrës në trazirat e viteve 1997-1998.

Për momentin për policinë motivet e vrasjes dhe identiteti i autorëve janë ende të pazbardhura. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17, pranë një rruge dytësore në qendër të qytetit, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Sarreqit.

Viktima ka zbritur nga banesa e tij dhe në momentin që ka hipur në makinë janë afruar dy personat me motor, që kanë qëlluar me armë zjarri tip pistoletë, duke e lënë 50-vjeçarin të vdekur në vend.

Ky është një tjetër ekzekutim që regjistrohet në vend dhe që tregon kuotën e lartë të kriminalitetit dhe njëkohësisht mungesën e vullnetit të shtetit për të reaguar, transmeton TCH.

Ndër vrasjet më të bujshme të regjistruara që nga fillimi i vitit ka qenë ajo e shtetasit Admirim Sako, eksponent i njohur i botës së krimit.

Ai u qëllua në afërsi të Gjykatës së Tiranës nga një i dyshuar si vrasës me pagesë, që u largua nga vendi i ngjarjes dhe që deri tani nuk është kapur nga uniformat blu.

Gjithashtu, muaji janar u karakterizua nga një tjetër ngjarje e rëndë, qëllimi me armë zjarri i shefit të policisë së Burrelit gjatë një aksioni, i cili ndërroi jetë disa ditë më vonë në një spital të Italisë. /Telegrafi/