Nëse hetimi për vdekjen misterioze të Kosta Krpaç, ish drejtorit të firmës “Finzi” që paraqitet si pronare e portalit “Netpres” përfundon si vetëvrasje, atëherë rasti do të mbyllet, ndërsa dilema se a ka bërë vetëvrasje, do të mbetet e pazgjidhur, thotë gazetari Zoran Dimitrievski nga javorja “Fokus”. Sipas tij, nuk ka gjasa që ai të ketë bërë vetëvrasje, nëse dikush nuk e ka shtyrë, gjegjësisht, nuk e ka kërcënuar dhe shantazhuar, njofton tv21.
“Një e dhënë interesante është ajo se në dorën e majtë të Krpaçit janë gjetur shenja baruti. Nuk e di a ka qenë ai mëngjerash, ose ka bërë vetëvrasje me dorën e majtë. I dyshimtë është edhe këndi i depërtimit të plumbit. Që të bëni vetëvrasje, duhet pistoletën ta mbani drejt, në kënd 90 shkallësh, ndërsa revolveri i markës “Smiten meson” është pothuajse e pamundur të mbahet ashtu, sepse është shumë i rëndë dhe do të kishte shenja baruti në të dyja duart”, thotë dimitrievski.
Për zbardhjen e rastit, Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar informata shtesë nga Prokuroria Speciale, pasi Krpaç vetë është paraqitur si dëshmitar. Ish prokurori publik Aleksandar Nakov thotë se sipas Ligjit të procedurës penale, procedurën parahetimore e udhëheq Prokuroria Themelore Publike e cila duhet të tregojë se a bëhet fjalë për vetëvrasje apo vrasje dhe ta gjejë autorin.
“Prokuroria Speciale tanimë ka ndërmarrë veprime të caktuara për të ndjerin, duke e përdorur si dëshmitar, për çka treguan edhe vetë ata. Megjithatë, askush nuk mund të garantojë se a mund në të ardhmen të paraqitet rast, gjegjësit të gjendet autori, për të cilin edhe Prokuroria Speciale do të ketë të drejtë ta marrë në kompetencën të vet”, shprehet Nakov.
Nga Prokuroria Publike akoma nuk japin detaje për vdekjen e Krpaç. Ende po priten raportet e autopsisë dhe të ekspertizës së plumbave dhe të gjurmëve në banesën e tij, që të konstatohet se si ka ndodhur vdekja e Krpaç. /Telegrafi/