Site icon Telegrafi

Vrasja me thikë e shtatëvjeçarit nga Kosova në Zvicër – nëna e tij nuk e dinte për orë të tëra, dëshmitarët rrëfejnë ngjarjen (Foto)

Lajmi për vrasjen e një shtatëvjeçari që thuhet të jetë me prejardhje nga Kosova ka shokuar komunitetin zviceran.

Sipas mediave zvicerane, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një shtatëvjeçar i cili është therur me thikë, ku si pasojë, nga plagët e marra, ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, përveçse është bërë e ditur se bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në orët e mesditës së ditës së enjte, mediat zvicerane kanë folur me dëshmitarë.

Një gazetar nga faqja e lajmeve “primenews.ch”, përcjell Telegrafi, ka folur me tre djem të shkollës në vendngjarje.

“Kur dikush na tregoi për incidentin pas shkollës, nuk e besuam në fillim. Më vonë, kur ishim duke luajtur basketboll jashtë, prindërit tanë na erdhën dhe na njoftuan”, kanë thënë adoleshentët duke shtuar se viktimën nuk e njihnin personalisht.

Gjithashtu, po sipas mediave, nëna e djalit nuk dinte asgjë për tragjedinë rreth djalit të saj për orë të tëra pas aktit.

“Nëna nuk e dinte deri në orën 20 që djali i saj ishte therur. Deri atëherë, ajo supozoi se ai ishte goditur nga një makinë”, ka thënë një mik i familjes për albinfo.ch.

Para aktit, disa banorë dëgjuan klithje të fëmijës.

Lexo po ashtu Shtatëvjeçari nga Kosova vritet me thikë në Zvicër nga një 75 vjeçare

“Unë nuk i kushtova shumë rëndësi. Këtu, fëmijët shpesh luajnë dhe ndonjëherë edhe bërtasin me zë të lartë. Vetëm kur pashë policinë dhe ambulancën, e kuptova se diçka e keqe kishte ndodhur”, rrëfen një banor i lagjes.

Dhe sipas mediave zvicerane, përcjell Telegrafi, për momentin, mësimi normal është i paimagjinueshëm në shkollën në fjalë.

“Shërbimi Psikologjik i Shkollës do të shkojë në klasa të premten në mëngjes dhe do të punojë së pari me mësuesit”, thotë Simon Thiriet, zëdhënës i Departamentit të Arsimit.

Gjithashtu, po sipas mediave vendase, sfondi i ngjarjes së tmerrshme është i paqartë: Pse erdhi deri te sulmi? Çfarë ndodhi saktësisht?

Ndonëse banorët raportojnë për një “zhurmë” që kanë dëgjuar, nuk dihet nëse autori dhe fëmija njiheshin – së paku deri më tani. E Policia Kriminale dhe Prokuroria po kërkojnë dëshmitarë. /Telegrafi/

Exit mobile version