Personi që shihni në foto është Gëzim Sinomati, 23-vjeçari i ekzekutuar me një plumb në kokë mbrëmjen e së dielës teksa qëndronte në ballkonin e banesës së tij në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri” në Vlorë.
Autori dyshohet se ka qëlluar me një snajper sapo Sinomati ka dalë në ballkon për të pirë një cigare.
Më pas autori me ndihmën e të paktën dy personave të tjerë është larguar nga vendngjarja duke përfituar edhe nga errësira që në ato momente mbizotëronte në zonë.
Rreth një orë pas ngjarjes, policia gjeti në lagjen “24 Maji” një makine tip “BMW” e djegur që dyshohet se u përket autorëve të ngjarjes. Burimet thonë se deri më tani nuk është gjetur ende arma e krimit, ndërsa një nga pistat e hetimit për vrasjen është hakmarrja, kjo për shkak se 23-vjeçari është djali i Sokol Sinomatit, ish-anëtarit të bandës së Gaxhait në vitin 1997 në Vlorë, i cili është arrestuar për vrasjen e një personi në vitin 2000.
Një tjetër pistë është edhe ajo e konflikteve të grupeve kriminale të përfshira në trafikun e drogës.
Vlen të theksohet se 2 vite më parë, në 3 janar të vitit 2022, xhaxhait të viktimës, Bernardo Sinomatit i vunë 150 gramë lëndë plasëse tritol në makinën që e kishte parkuar në të njëjtën lagje ku mbrëmjen e së dielës iu ekzekutua edhe Gëzim Sinomati./Tv Klan