Mbeti i shtrirë në mes të rrugës, pasi u qëllua për vdekje me armë zjarri. Pak minuta para orës 9 e 30, viktima V.S. ishte përfshirë në një zënkë me një tjetër djalë, më të ri se ai. Dëshmitarët që panë çfarë ndodhi, u tmerruan.
Babai i viktimës erdhi në vendngjarje, pasi kishte marrë vesh çfarë ndodhi, me gjithë që nuk u la të afrohej të trupi i mbuluar. Ai tha se nuk ishte në dijeni që djali i tij kishte probleme me ndokënd, pos një problemi para 6 muajsh.
Kufoma, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes që bënë mjeko-ligjorët, u dërgua për obduksion. Në Polici thanë se për këtë rast arrestuan dy persona.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja të plumbave, një shufër metalike dhe në dorën e të ndjerit një shkop bejsbolli. Po ashtu është konfiskuar edhe një armë tytëgjatë, që Policia nuk tregon çfarë ishte por dëshmitarët konfirmuan se ishte kallashnikov.
Më vonë u mësua se të dyshuarit janë H.V dhe V.B, të dy nga 17 vjet.
Me këtë të fundit, viktima kishte patur një mospajtim, gjashtë muaj më parë dhe këtë e konfirmoi vëllai i të ndjerit.Ai po pretendon se një ditë pas kësaj ngjarje viktima ishte kërcënuar prapë, nga i njëjti person.
Vëllai i viktimës tregon se kacafytja kishte filluar për një shuplakë.
Klan Kosova vizitoi edhe familjen e njërit prej dy të dyshuarve që janë shoqëruar dhe po mbahen në ndalim policor.
Por, në Zhabar të Mitrovicës nuk pranuan të flasin, me arsyetimin se ngjarja është shumë e rëndë dhe se ajo çfarë ngjau ka tronditur të gjithë edhe te Beqirajt.
Xhaxhai i këtij të dyshuari tha se u vjen keq për atë që ka ndodhur dhe bëri me dije se bashkë me një hoxhë, janë duke u përpjekur për të gjetur një zgjidhje të kësaj situate të rëndë.
Këtu thanë se nuk e kanë patur asnjë indikacion që djali i tyre mund të vrasë dike, ndërsa u deklaruan se nuk ishin në dijeni që po i njëjti ka patur armë. /Klan Kosova/