Site icon Telegrafi

Vrasja për kontest pronësor, një muaj paraburgim për 6 të pandehurit

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë ditë gjashtë të pandehurve, të cilët pas një mosmarrëveshje të një kontesti pronësor, me dashje kanë privuar nga jeta të ndjerin M. I., duke e goditur në mënyrë mizore me vegla pune.

Rasti kishte ndodhur më 2 maj në fshatin Sadovinë e Qerkezëve të Vitisë, ku të njëjtit kanë rrezikuar edhe jetën e bashkëshortes së të ndjerit K. I. dhe të pandehurit E. I.

“Me këto veprime të pandehurit F. I.,  B. I.,  S. I.,  I. I.,  dhe  I. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’vrasje e rëndë”, ndërsa i pandehuri E. I., veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, vepra këto të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatë./Telegrafi/

Exit mobile version