Gjykata Themelore në Pejë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit, pasi dyshohet se të premten mbrëma ka vrarë në mënyrë makabre nënën e tij.
Telegrafi ka siguruar aktvendimin e gjykatës, ku ndër të tjera thuhet se eksperti i gjykatës, psikiatri Nysret Pepaj, ka deklaruar se ka biseduar me të dyshuarin në lidhje me rastin.
Sipas Pepajt, i dyshuari ka deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodh edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.
“Dr. Nysret Pepaj deklaroi se ka biseduar me U.H. lidhur me të gjithë rastin dhe tani mund të jetë i shqetësuar, por i njëjti edhe në heshtje e kupton procedurën që zhvillohet ndaj tij, sepse te ne është deklaruar se ‘ndodhin këto raste, kanë ndodh edhe më përpara dhe nuk kemi çfarë të bëjmë tash’. Sëmundja për të cilën po dyshon se mund të jetë i lartpërmenduri (çrregullim psikotik), nuk ka ndikim në zvogëlimin e inteligjencës së tij, me çka kur është jashtë efektit të sëmundjes i kupton të gjitha si dhe deklarohet normal. Kur është nën afektin e atij çrregullimi atëherë veprimet e tij janë të tjera me çka në këtë rast qetësia e tij na jep të kuptojmë se efekti i sëmundjes është zvogëluar përpos që është shqetësimi i tij përball tij dhe nga shqetësimi veprimet e tij si dhe përgjigjet e tij mund të jenë jovalide”.
Tutje, në aktvendim bëhet e ditur se i dyshuari, pasi e ka vrarë nënën e tij, e ka sulmuar me thikë edhe babanë dhe hallën e tij.
Gjykata gjithashtu e arsyeton masën e paraburgimit prej një muaji, duke shtuar faktin se i pandehuri posedon leje qëndrimi në Gjermani ku jeton e vepron, e për më tepër kishte nxjerr biletën për t’u kthyer më datë 19 prill 2023./Telegrafi/