Avokati Bahtri Troshupa planifikon kallëzim penal ndaj prokurorit në gjykimin për vrasjen e Mentor Zekajt në Pejë.
Mbrojta e të akuzuarit Kreshnik Haliti, të akuzuarit për vrasjen e Mentor Zekajt në Pejë, më 6 mars 2017 kërkoi hedhjen e aktakuzës, kundërshtimin e provave dhe pushimin e procedurave penale. Këto kërkesa i paraqiti të shkruara në gjykatë Bahtir Troshupa, avokati i Kreshnik Halitit, ndërsa i bëri të ditura kryetarja e trupit gjykues, Lumturie Muhaxheri. Sipas kërkesave të parashtruara nga avokati Troshupa, ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësin penale të Kreshnik Halitit për vrasje të rëndë.
Haliti, sipas kërkesave të parashtruara nga avokati i tij, ditën kritike ka përdorur veprime të domosdoshme në vetëmbrojtje, pasi sipas avokatit kishte pasur vrasje në tentativë ndaj tij nga ana e tash të ndjerit Mentor Zekaj.
Avokati tha se aktakuza është bazuar në prova të papranueshme.
Në anën tjerë, kundërshtimet e mbrojtjes i ka konsideruar të pabaza edhe prokurori i rastit, Ardian Hajdaraj.
Por, për prokurorin Ardian Hajdaraj kërkesa për hedhjen poshtë të aktakuzës nga avokati Troshupa është bërë vetëm sipërfaqësisht dhe pa asnjë bazë.
“Pretendimet e mbrojtjes se gjatë shikimit të vendit të ngjarjes nga ana e policisë nuk ka marrë pjesë edhe mbrojtja, janë të paarsyeshme dhe të pabazuara, sepse ditën kritike nuk është ditur identiteti i të dyshuarit, e as identiteti i mbrojtësit të tij”, tha prokurori Hajdaraj.
Edhe avokati i palës se dëmtuar, Gëzim Kollçaku, u pajtua me pretendimet e prokurorit, ndërsa shtoi se mbrojtja e të akuzuarit në asnjë rast nuk ka arsyetuar kundërshtimin e provave të aktakuzës.
Tutje, avokati Bahtri Troshupa, duke arsyetuar kundërshtimet e provave të aktakuzës, përmendi rrethanën se në vendin e ngjarjes nuk ka qenë prezent as gjyqtari, duke kërkuar që edhe procesverbali i vendit të ngjarjes të shpallet provë e papranueshme.
Edhe deklarata e një dëshmitareje, sipas avokatit duhet shpallur e papranueshme në fazat e mëtutjeshme me arsyetimin se ka pasur ndikime në deklaratën e saj nga zyrtarë policorë.
Por, prokurori Ardian Hajdaraj tha se deklarimi i dëshmitares i mbetet në vlerësim prokurorisë se a ka qenë i vërtetë apo jo, megjithëse ai shtoi se deklarata e së njëjtës ishte njësoj sikurse në polici, edhe në prokurori.
Prokurori Hajdaraj po ashtu tha se janë joprofesionale dhe joetike deklaratat e avokatit Troshupa në kundërshtimet e aktakuzës se do të bëjë kallëzim penal ndaj dy dëshmitarëve, policëve, dy avokatëve dhe vetë prokurorit.
“Tendenca e tij është e qartë në bazë të kësaj shkrese”, tha prokurori Hajdaraj.
Në këtë proces gjyqësor Kreshnik Haliti akuzohet për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt.
Në këtë proces gjyqësor Kreshnik Haliti akuzohet për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt.
Pasditen e 6 marsit të këtij viti, Mentor Zekaj nga të shtënat e armës se zjarrit kishte mbetur i vdekur në lagjen “Fidanishte” të Pejës. /kallxo.com/