Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami është shprehur e tmerruar nga vrasje në QKUK.
Bajrami përmes një shënimi në Facebook ka thënë se për këto lloje krimesh duhet të rikthehen dënimet kapitale.
“Jam e tmerruar me ngjarjen e sotme që po raportohet se një burrë ka vrarë gruan e tij shtatzënë. Ky rast është i dyti brenda pak ditësh kur edhe një mësuese u vra në mënyrë mizore. Gjithë këto krime po ndodhin pasi s’ka dënime kapitale për kriminelët. Gjykatat duhet të japin dënime maksimale për gjithë ata që bëjnë krime të tilla”.
Bajrami thotë se në praktikë po ndodh e kundërta, derisa ka përmendur uljen e dënimit për të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
“Në praktikë po ndodh e kundërta. Këto dy vrasje po ndodhin pak ditë pasi gjykata uli dënimin nga burgimi i përjetshëm në 35 vite burgim për vrasësin e Donjeta Pajazitajt. Vrasësi ishte recidivist. Kishte vrarë edhe një fëmijë për hakmarrje. Pse t’i ulet dënimi dikujt që është përsëritës i veprave penale?”
Ndryshe, zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për vrasjen e një gruaje të moshës rreth 35-vjeçare./Telegrafi/