Site icon Telegrafi

Vrasja në Hajvali, i akuzuari Shkumbin Kryeziu dënohet me 20 vjet burgim

Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me 20 vjet burgim Shkumbin Kryeziun, i akuzuar për vrasjen e V.Xh. në Hajvali, në dhjetor të vitit 2021.

Kryeziu akuzohej se së bashku me një të mitur pas disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin pasur me tashmë të ndjerin V.Xh. me qëllim që ta privojnë nga jeta e godasin me thika dhe si pasojë e plagëve V.Xh. kishte vdekur.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetari i trupit gjykues Kushtrim Shyti.

Gjykata të pandehurit Shkumbin Kryeziu për veprën penale  -vrasje i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 19 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për veprën – armëmbajtje pa leje – 1 vit burgim.

Gjykata të pandehurit i ka shqiptuar dënim unik 20 vjet burgim, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, si dhe është urdhëruar konfiskimi i thikës.

Të pandehurit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, si dhe i vazhdohet masa e paraburgimit deri sa ky aktgjykim të marrë formën e prerë.

I pandehuri obligohet që t’i paguajë të gjitha shpenzimet  e procedurës penale dhe në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Ndërsa pala e dëmtuar udhëzohet që kërkesën pasurore-juridike ta paraqesë ne kontest të rregullt juridiko-civil.

Lidhur me këtë çështje penale prokurori i rastit, Arben Hoti, në fjalën përfundimtare kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga – vrasje e rëndë, në – vrasje në bashkëkryerje.

Prokuroria këtë ricilësim e ka bërë duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, sipas të cilit Gjykata duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të të miturit (i ngarkuar në procedurën për të mitur si bashkëkryerës i kësaj vepre penale) kishte aprovuar kërkesën dhe kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, me të cilat i mituri si bashkëkryerës fillimisht ishte gjykuar për veprën penale – vrasje e rëndë në bashkëkryerje, mirëpo sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme ishte bërë ricilësimi i kësaj vepre penale në – vrasje, raporton Kallxo.

Në bazë të kësaj Prokuroria ka konsideruar se meqë ka të bëjë me të njëjtën vepër penale të kryer në bashkëkryerje, ricilësimi i veprës penale ka karakter detyrues edhe për të pandehurin Shkumbin Kryeziu.

Ndaj të miturit është zhvilluar një procedurë tjetër dhe është dënuar.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur më 29.12.2022, më 10.12.2021 rreth orës 21:15 ne fshatin Hajvali pasi që ka zbritur nga autobusi i ndjeri V.Xh. bashkë më dëshmitarin Kujtim Pacolli rrugës për të shkuar në shtëpi i kishin rënë rrugës më të shkurtë ishte takuar me të miturin në oborrin e shkollës ku ishin edhe dëshmitarët Gojart Sejdiu dhe Mirsad Haxholli, ku ishin konfliktuar me fjalë, në atë moment i mituri e kishte nxjerrë thikën dhe në ato momente kishte arritur i pandehuri Shkumbin Kryeziu, i cili me thikë në dorë së bashku më të miturin e kishin ndjekur të ndjerin.

Sipas aktakuzës, me të ndjerin duke ikur ishte edhe dëshmitari Kujtim Pacolli, ku dëshmitari ishte rrëzuar, ndërsa i pandehuri bashkë me të miturin kanë vazhduar ta ndjekin tashmë të dhe të dy me dy thika në dorë nga hakmarrja e paskrupullt për shkak të disa mosmarrëveshjeve  më herët që kanë pasur e godasin me thika në trup V.Xh., i cili për shkak të plagëve të marra në trup ka vdekur në QKUK.

Me këtë i pandehuri Shkumbin Kryeziu dhe i mituri kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Shkumbin Kryeziu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Exit mobile version