Prokuroria Themelore në Prishtinë iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë pësuar lëndime trupore (të dëmtuarve) në rastin e vrasjes në “Bon Vivant”, të paraqiten në këtë institucion apo në Policinë e Kosovës.
Ata duhet të paraqiten në polici apo prokurori brenda afatit prej 15 ditë kalendarike nga dita e publikimit të këtij njoftimi në media dhe në faqen zyrtare të Sistemit Prokurorial, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti në plotëni.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes këtij njoftimi publik, i bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët kanë pësuar lëndime trupore (të dëmtuarve) në rastin e datës 4 gusht 2023, i cili rast ka ndodhur në lokalin “Bon Vivant”, të paraqiten në Policinë e Kosovës-Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë apo në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dhe atë brenda afatit prej 15 ditë kalendarike nga dita e publikimit të këtij njoftimi në media dhe në faqen zyrtare të Sistemit Prokurorial, me qëllim të ndriçimit të këtij rasti në plotëni”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Një përleshje mes dy grupeve që përfundoi me pasoja fatale për jetën e një 39-vjeçari me inicialet K.R, ndodhi më 4 gusht në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë.
Prokuroria në njoftimin e saj ka konstatuar se nga arma e zjarrit janë plagosur edhe gjashtë persona të tjerë, ndërsa 13 persona kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona, dy prej të cilëve janë liruar nga paraburgimi më 29 gusht. /Telegrafi/