Site icon Telegrafi

Vrasja në “Bon Vivant”, miratohet propozimi i Prokurorisë për dëgjimin e katër dëshmitarëve tjerë

 Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Andi Pajzitit, i akuzuar për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, është aprovuar propozimi i Prokurorisë që të dëgjohen edhe katër dëshmitarë të tjerë.

Në këtë seancë, ishte planifikuar që të lexohen provat materiale në shkresat e lëndës, mirëpo fillimisht prokurorja e rastit, Nebahate Salihu ka propozuar dëgjimin e katër dëshmitarëve të tjerë, me arsyetimin se në ditën kritike kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, gjegjësisht kanë marrë edhe lëndime të rënda trupore nga arma e zjarrit.

Po ashtu, edhe mbrojtja e palës së dëmtuar, avokati Flakron Sylejmani në këtë seancë ka deklaruar se pranë kësaj Gjykate kanë dorëzuar një parashtresë përmes së cilës ka paraqitur provat dhe propozimet shtesë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Andi Pajaziti, avokati Florent Latifaj, tha se kjo seancë ishte planifikuar për leximin e provave materiale, duke propozuar që e njëjta të vazhdojë sipas planifikimit.

Vetë i akuzuari Pajaziti deklaroi se personat e propozuar për dëshmitarë, nuk kanë të bëjnë asgjë me rastin dhe s’kanë marrë asnjë plagë nga ai.

“E mbështes mbrojtjen dhe dua të shtoj se këta persona ua kam lexuar deklaratën vetë personalisht dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me rast dhe nuk kanë parë asgjë dhe nuk kanë marrë asnjë plagë nga ana ime”, tha Pajaziti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në fund, Gjykata ka miratuar propozimin e Prokurorisë, që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen edhe emrat e propozuar nga Prokuroria.

Më pas, gjyqtari i çështjes Eroll Gashi, ndërpreu seancën e sotme pas aprovimit të propozimit të Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe  N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17  persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.

Exit mobile version