Site icon Telegrafi

Vrasja në ‘Bon Vivant’, avokati thirret në mbrojtje të nevojshme për veprimet e Andi Pajazitit

Andi Pajaziti, i akuzuar për rastin e vrasjes në ‘Bon Vivant’ më 04.08.2023, është ulur sërish sot (28.01.2025) në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.

Pajaziti akuzohet për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore në lokalin “Bon Vivant”, ku mbeti i varë K. R.

Në seancën e sotme, avokati i të akuzuarit gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, deklaroi se veprimet e Pajazitit kanë qenë në mbrojte të nevojshme.

Avokati i të akuzuarit Pajaziti, Fanol Krasniqi në dhënien e fjalës përfundimtare, ka thënë se veprimet e Andi Pajaziti nuk janë bërë as nga pakujdesia e aq më pak me dëshirë.

“Në rastin konkret mund të shtohet pyetja, a ka pasur mundësi Andi Pajaziti me i ik sulmit? Andi Pajaziti edhe po të donte s’ka mujt as me ik, as me ju shmang sulmit, mbrojta e Andi Pajazitit ishte proporcionale me mjetin e veprës, ishte i shënjestruar nga dy armë, Andit i është dashur me kusht ta shpëtoj kokën e vetë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas avokatit Krasniqi, nëse veprimet konsistojnë me mbrojte të nevojshme, nuk kemi vepër penale dhe nuk mund të dënohet dikush i cili nuk ka elemente të fajit.

“Siç ka thënë edhe Monteskeu, e drejta e vetëmbrojtjes nuk është privilegj, edhe ligj ynë e parasheh dispozitën e nenit 12, vepra e kryer në mbrojte të nevojshme nuk është vepër penale”- tha tutje Krasniqi.

Krasniqi duke cituar fjalët e një juristi i cili kishte studiuar rolin e viktimave në rastet e vrasjes, tha se: “Të akuzuarit nuk janë çdo herë fajtor dhe viktimat nuk janë gjithmonë të pafajshëm”.

Avokati i Pajazitit me të filluar dhënien e fjalës përfundimtare kërkoi nga gjyqtari që këtë rast ta gjykoj në bazë të provave, fakteve duke mos u ndikuar nga emocionet e familjarëve të viktimës.

Krasniqi tutje falënderoi mediat të cilat tha se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në pasqyrimin e asaj se çka kishte ndodhur atë natë.

Ndërsa prokurorja Bukurie Gjonabalaj në fjalën përfundimtare ka thënë se Andi Pajaziti është fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet në bazë të provave materiale dhe atyre personale të palëve që ishin të dëmtuara nga kjo ndodhi.

Prokuroria tha se Pajaziti vërtetohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet edhe duke u bazuar në incizimet që janë shikuar në shqyrtim gjyqësor. Madje sa i përket kualifikimit juridik, prokurorja tha se është bazuar në ekspertizën e psikiatrisë forenzike.

“Se i pandehuri e ka kryer veprën penale vërtetohet përmes video-incizimeve, që janë lëshuar në shqyrtim gjyqësor, ku vërehet momenti se ka qenë i goditur me një shishe qelqi në kokë e ka shtënë në drejtim të ndjerit, gjë që nga mendimi i ekspertit për gjendjen shëndetësore dhe mendore për Andin Pajazitin ku konstatohet se i pandehuri në momentin e kryerjes së veprës penale ka dominuar gjendja e konfuzionit emocional dhe vepra është kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, tha prokurorja, Bukurie Gjonabalaj.

Prokurorja kërkoi që të dënohet Pajaziti dhe të merren parasysh rrethanat rënduese si, shkalla e dëmit që e ka shkaktuar dhe historiku si i dënuar për vepra të tjera penale.

I dëmtuari i këtij rasti Granit Zeqiri ka thënë se kërkon dëmshpërblim lidhur me këtë rast.

Ndërsa Arlind Jupolli që përfaqëson të dëmtuarin Agim Zeqiri, tha se meqenëse vepra penale për të cilat akuzohet Pajaziti nuk ndërlidhet asgjë me klientin e tij, nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale por që bëjnë kërkesë për dëmshpërblim.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast penal pritet të bëhet më datë 31.01.2025, nga gjyqtari i vetëm gjykues, Eroll Gashi.

Andi Pajaziti më 18.07.2024 në seancën e shqyrtimit fillestar kishte deklaruar se e pranon fajësinë për armëmbajtje por për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore nuk e pranon pasi i njëjti ka vepruar në vetëmbrojtje.

“Për veprën e parë penale vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore nuk ndihem fajtor, sepse ajo vepër është kryer në vetëmbrojte, kurse për armëmbajtje e pranoj”, deklaroi i akuzuari Andi Pajaziti.

Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?

Sipas Dosjes së Prokurorisë, rasti kishte ndodhur më 04.08.2023 rreth orës 23:15, ku paraprakisht ishin të ulur i pandehuri, i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj, bashkë më tani të ndjerin K. R.

Dosja përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti të ulet te tavolina e tyre.

Pas tensionimit të situatës – sipas Prokurorisë – ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se tashmë i ndjeri K. R. e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.

Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në Aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar për pasojat”, shtie me armë zjarri, me ç’rast e godet tashmë të ndjerin K. R.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj. Gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.

Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të të pandehurit Pajaziti, me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore, me pasoja të përhershme shëndetësore.

Vdekja e K. R. – sipas Prokurorisë – ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.

Arma e cila është përdorur – sipas Prokurorisë – është tip “Smith” e kalibrit 9mm.

Për këtë, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 07.08.2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.

Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë, pas kërkesës së Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë në këtë rast në rrezik ishin jetët e personave të tjerë, të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj, ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte K.R., i cili kishte vdekur në QKUK.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit, gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes./Kallxo.com/

Exit mobile version