Site icon Telegrafi

Vrasja e vëllezërve në Shkodër, për hakmarrje, djali i viktimës pjesë e ‘Bajrajve’ (Video)

Dy vëllezër janë ekzekutuar mëngjesin e së shtunës në Shkodër. Ata janë Astrit dhe Ibrahim Bilali, të cilët u qëlluan me breshëri kallashnikovi pranë banesës së tyre në lagjen Kiras në Shkodër.

Autorët kanë lëvizur me një automjet, i cili është gjetur pak metra më tutje, i djegur.

Dy viktimat nuk kanë precedentë penalë, por dyshimet janë se vrasja e tipit mafioz është një ekzekutim për hakmarrje si pjesë e luftës së nisur mes dy fiseve të njohura në botën e krimit në Shkodër.

Vrasja dyshohet të jetë hakmarrje për shkak se viktimat kanë lidhje me një tjetër vrasje ndodhur pak kohë më parë në këtë qytet.

Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, një anëtar i dyshuar i bandës Bajri, i cili mendohej se ishte shënjestra e vërtetë e atentatit ku mbeti i vrarë disa muaj më parë Arjan Ferracaku.

Kjo ngjarje ka mbetur pa autorë edhe pse policia shoqëroi disa persona të fisit Lici.

Viktima tjetër është e njohur në Shkodër sepse ka qenë një pjesëtar aktiv në lëvizjen e 2 prillit në fillim të viteve 90 në Shkodër.

Te dy vëllezërit kujdeseshin për një kompleks hipizmi në zonën e Kirasit. Dy vëllezërit 59 dhe 61 vjeç ndodheshin në lagjen me emri “Guerilë” në vendin e quajtur “Zooteknika” kur janë qëlluar.

Lexo po ashtu Vrasja e dy vëllezërve në Shkodër, gjendet i djegur automjeti i autorëve të krimit (Video)

Policia ka nisur kërkimet në të gjithë zonën, pasi ka gjetur mjetin e djegur, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kane nisur shoqërimet e personave të dyshuar ndërsa janë ngritur edhe postoblloqe.

Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është nisur një grup i posaçëm me ekspertë dhe drejtues të Policisë Kriminale dhe asaj të Rendit për t’ju bashkuar grupit hetimor të ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Policia e Shkodrës kërkon nga dëshmitarët të bashkëpunojnë e të japin informacione në numrat 112 ose ne numrin 0694102147 duke garantuar ruajtjen e anonimatit.

Kronika dhe videon mund t’o ndiqni KËTU /tch/

Exit mobile version