Një grua e dytë është arrestuar lidhur me vdekjen e vëllait të liderit koreanoverior Kim Jong Un.
Kim Jong-nam vdiq të martën, si pasojë e atij që dyshohet të jetë një helmim në aeroportin e kryeqytetit malajzian të Kuala Lumpurit. Policia bëri të ditur se analizat mjeko-ligjore ishin kryer, edhe pse rezultatet ende nuk janë bërë publike.
Njëra prej grave, e cila përdorte një pasaportë vietnameze, u ndalua të mërkurën, ndërsa sa i përket gruas së dytë, inspektori i përgjithshëm i policisë malajziane tha se ajo ishte arrestuar të enjten lidhur me vdekjen e një mashkulli korean.
E identifikuar falë kamerave të sigurisë, 25-vjeçarja kishte një pasaportë indoneziane.
Ndërkaq, autoritetet malajziane konfirmuan se personi që po udhëtonte me emrin Kim Chol, ishte vëllai nga babai i diktatorit koreano-verior, Kim Jong Nam. Ai thuhet të jetë sulmuar me një substancë kimike nga dy agjente sekrete në aeroport.
Koreja e Veriut besohet se qëndron pas vrasjes, e megjithatë deri më tani nuk janë gjetur prova. Shteti komunist feston të enjten atë që do të ishte 75-vjetori i Kim Jong-il, babai i udhëheqësit aktual të Penianit. Kim Jong-un u pa teksa merrte pjesë në një takim të partisë së tij të mërkurën.
Në pamjet e shfaqura në televizion, ai dukej i pezmatuar dhe kur u largua, nuk përshëndeti me dorë, ashtu siç e kërkon tradita.
Kim Jong-nam i kishte shkëputur marrëdhëniet me familjen e tij që kur u anashkalua si trashëgimtar i lidershipit në favor të vëllait të tij. Shumicën e kohës e kalonte në Makau, Kinë dhe Singapor.
Në të kaluarën, ai ka folur kundër kontrollit të Koresë së Veriut nga dinastia familjare dhe në një libër të botuar në vitin 2012 u citua teksa thoshte se vëllait të tij i mungonin aftësitë e një udhëheqësi. /tch/