Site icon Telegrafi

Vrasja e vëllai të deputetit, e filmuar nga kamerat e bankës

Kamerat e sigurisë së një filiali banke në krah të kazinosë pritet të hedhin dritë mbi personat që ekzekutuan mbrëmjen e së hënës në Laç, 45-vjeçarin Perjet Abazi. Ende nuk ka asnjë të arrestuar, edhe pse ka dyshime se autori mund të jetë pjesë në grupin prej rreth 50 vetash të shoqëruar.

Grupi hetimor ka marrë në pyetje të shoqëruarit, mes tyre dhe pronarin e punonjësit e kazinosë, ku Abazi po luante deri rreth orës 20:30 kur doli prej saj për t’u qëlluar për vdekje nga një armë automatike.

Sipas policisë, pronari i kazinosë ka pohuar se ka qenë duke luajtur me Abazin, kohë gjatë së cilës nuk ka konstatuar asnjë shqetësim të 45-vjeçarit, por është larguar më vonë dhe, në kohën e krimit, ai ndodhej jashtë qytetit. Po kështu, janë marrë në pyetje edhe punëtorët e kazinosë, midis tyre edhe disa vajza nga Tirana, të cilët ishin të punësuar në ambientet e saj.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, mësohet se janë sekuestruar edhe kamerat e një filiali banke, të cilat kanë qenë të vendosura përreth objektit. Të njëjtat burime shprehen se dyshohet se autorët e krimit në momentin e kryerjes së vrasjes kanë qenë të maskuar, duke e vështirësuar mundësinë e identifikimit të tyre nga filmimet e kamerave, ndërsa kanë vepruar duke dalë nga zona e errësirës. Megjithatë, ato kanë kaluar në duart e ekspertëve për të saktësuar të dhënat fizike të atentatorëve.

Bazuar në dëshmitë e personave të shoqëruar, Abazi shoqërohej vazhdimisht me nga 4 badigardë dhe luante me shuma të mëdha parash në këtë kazino. Natën e krimit ai ka qenë i shoqëruar vetëm me një roje, i cili, kur ndodhi vrasja, ishte akoma në ambientet e lojërave të fatit.

Hetimet e policisë janë përqendruar në disa pista, që nga ajo e hakmarrjes për çështje në të cilat është implikuar prej kohësh Abazi, tek ajo e ndonjë konflikti ndodhur për shkak të parave të luajtura në kazino apo sherr për motive të dobëta lindur në ambientet e lojërave të fatit, raportoi e përditshmja Panorama./Telegrafi/
 

Exit mobile version