Telegrafi

Vrasja e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, avokati Koci me kritika për strukturat e hetuesisë

Arianit Koci, avokat

Avokati Arianit Koci ka komentuar zhvillimet e fundit rreth vrasjes së trefishtë që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit.

Koci ka pohuar se informacionet e ndjeshme lidhur me rastin e Deçanit kanë rrjedhur në publik,  dhe kjo sipas tij është jo profesionalizëm nga strukturat e hetuesisë, transmeton Telegrafi.

“Informatat më ndjeshme lidhur me rastin e Deçanit, kanë rrjedhur në publik – ka kohë. Disa ditë para arrestimit, është zbuluar edhe motivi i mundshëm i këtij krimi makabër. Madje është thënë se do të ketë arrestime shumë shpejt. Ashtu ndodhi! Kjo është profesionalizëm i pastër nga ana e strukturave të hetuesisë. Dhe kjo, nuk është hera e parë. Po dëmtohen hetimet dhe po shkelet rëndë prezumimi i pafajësisë”, ka pohuar ai.

Më tej, Koci ka shtuar “prandaj, në këtë rast – çdo informatë – zyrtare apo jozyrtare, jam i prirur ta pranoj me rezerva deri në aktgjykim të plotfuqishëm. Dënues apo lirues”.

“P.s.Informata dhe analiza, kanë dallim. E kush ka përvojë, saktësisht e dallon të parën prej të dytës”, thotë mes tjerash ai.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve H.M, K.M dhe M.M, për shkak të dyshimit të bazuar se të njejtit kanë kryer vepër penale vrasje e rëndë dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim tkontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Lexo po ashtu Gjykata cakton 30 ditë paraburgim ndaj tre të dyshuarve për vrasjen në Gllogjan

Të pandehuve H.M, KM dhe M.M iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Ndërkaq, motivi i vrasjes së trefishtë dyshohet të jetë hakmarrja për vetëvrasjen e 20-vjeçares nga Gllogjani, Heroina Mehmetajt, motrës së të dyshuarve, e cila i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020, duke u varur me litar.

Vrasja e trefishtë që ndodhi në Deçan po cilësohet si një prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në vend.

Përveç shoferit, i cili dyshohet të ketë qenë cak i të dyshuarve, mbetën të vdekur edhe dy nxënës 17-vjeçarë të cilët po udhëtonin me autobus në momentin kur ndodhi sulmi./Telegrafi/