Site icon Telegrafi

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, familjet me pretendime të kundërta

Familjarët e viktimave janë shprehur të bindur se Halil Mehmetaj me dy djemtë, Kastriotin dhe Kreshnikun, janë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit. Megjithatë, këto pretendime i ka kundërshtuar familja Mehmetaj, të cilët thanë se janë të pafajshëm. Këto deklarime u dhanë pas ndërprerjes së seancës fillestare, të një prej vrasjeve më të rënda të pasluftës në Kosovë.

Familjarët e viktimave kishin mbërritur të parët në sallë.  Pas tyre, erdhën edhe tre të akuzuarit për krimin e rëndë, vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Në bankën e të pandehurve u ulën babai Halil Mehmetaj, me dy djemtë, Kastriotin dhe Kreshnikun.

Megjithatë, të mërkurën, gjykimi dështoi të nis.

Shkak është bërë ankesa e avokatëve të të dyshuarve, të cilët thanë se nuk i kanë pranuar të gjitha deklaratat e dëshmitarëve.

Mbrojtja kërkoj edhe lirimin e tyre nga paraburgimi, pasi thonë se kanë pushuar të gjitha kushtet ligjore për një masë të tillë.

Gjyqtarja Violeta Husaj – Rugova tha se për këtë kërkesë do të vendos pasi që të nis procesi gjyqësor.

I bindur në pafajësinë e babait dhe vëllezërve, është Malsor Mehmetaj, i cili kishte qenë gjithashtu i dyshuar për përfshirje në vrasje, por më pas u lirua nga Prokuroria.

“Më kanë mbajt në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Nuk e di ku e ka pa ajo tash të arsyeshme me mi mbajt familjarët. Ju them qëndroni të fortë se kemi me triumfua në fund. Të lësh kryerësin në liri, e me mi marrë babën me tre djem e me mi lënë në burg, veç në Kosovë ndodhë kjo”, ka thënë Mehmetaj, familjar i të dyshuarve.

Por, krejt mendim ndryshe kanë familjarët e viktimave.

Ata janë të bindur se Halil, Kastriot e Kreshnik Mehmetaj, janë të përfshirë në këtë krim të rëndë.

“Këta janë, s’ka tjerë. E shohim më gjashtë qershor, këta janë, nuk ka tjerë”, ka thënë Florim Mustafaj, familjar i viktimave.

Seanca fillestare është shtyrë për datën gjashtë qershor.

Gjykimi ka nisur pasi më 5 maj, pasi prokurorja Sahide Gashi njoftoi se ka ngritur aktakuzën.

Prokurorja Gashi ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, e janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa shtoi se provat janë dërguar për ekspertizë në Zvicër dhe Shqipëri./RTV Dukagjini/

 

Exit mobile version